José Mujica, ish-presidenti i Uruguait dhe një nga figurat më të dashura në politikën ndërkombëtare, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti aktual Yamandú Orsi, i cili e përshëndeti me fjalët: “Faleminderit për gjithçka që na dhatë dhe për dashurinë tuaj të thellë për popullin tuaj.”

Mujica vuante prej kohësh nga kanceri në ezofag, por shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.

Ish-gueril dhe më vonë president i Uruguait nga viti 2010 deri më 2015, Mujica fitoi zemrat e miliona njerëzve anembanë botës për stilin e tij të jetesës së thjeshtë, deklaratat kundër konsumizmit dhe politikat progresive. Ai jetonte në një shtëpi modeste, voziste një “Beetle” të vjetër dhe dhuronte pjesën më të madhe të pagës së tij.

Gjatë presidencës së tij, Uruguai u bë vendi i parë në botë që legalizoi përdorimin rekreativ të marijuanës. Mujica ishte po ashtu një kritik i hapur i pabarazisë dhe i padrejtësive sociale, duke u kthyer në një simbol të liderit që vë njerëzit mbi pushtetin.

Megjithëse shumë e panë si një figurë jashtë politikës tradicionale, Mujica kishte rrënjë të thella politike. Ai nisi aktivitetin e tij në Partinë Kombëtare dhe më vonë bashkëthemeloi grupin gueril Tupamaros në vitet ‘60, një lëvizje që synonte të rrëzonte qeverinë përmes aksioneve të armatosura. Për shkak të aktivitetit të tij, ai kaloi më shumë se një dekadë në burg, shpesh në kushte të rënda.

Pas rënies së diktaturës në Uruguai, Mujica u përfshi sërish në politikë, kësaj here në mënyrë demokratike, duke u bërë fillimisht deputet, më pas ministër dhe përfundimisht president.