Parlamenti i Nepalit ndodhet nën mbrojtjen e ushtrisë, ndërsa rrugët e Katmandusë janë boshatisur pas shpalljes së një shtetrrethimi. Masa u mor pas dy ditësh protestash të dhunshme kundër korrupsionit, që kulmuan me dorëheqjen e kryeministrit K.P. Sharma Oli.

Përshkallëzimi i protestave

Trazirat, të cilësuara si më të rëndat në dekada, shpërthyen pasi qeveria ndaloi rrjetet sociale – një vendim i tërhequr më pas – por situata degradoi kur policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat. Vetëm të hënën, 19 persona humbën jetën.

Të martën, protestuesit dogjën disa ndërtesa qeveritare, përfshirë Gjykatën e Lartë, rezidencat e disa ministrave dhe shtëpinë private të ish-kryeministrit Oli. Në një prej banesave të sulmuara humbi jetën bashkëshortja e ish-zëvendëskryeministrit Jhalanath Kanal, e cila mbeti e bllokuar brenda dhe u dogj për së gjalli.

Fasada e parlamentit është e nxirë nga zjarri i vendosur nga protestuesit, ndërsa zjarrfikësit ushtarakë punonin për të shuar flakët.

Dhuna ndaj zyrtarëve

Fati i nënpresidentit të Nepalit mbetet i paqartë. Sipas raportimeve, ai u rrethua nga protestuesit, u godit brutalisht, iu vendos një thes në kokë dhe u zhvesh para se të tërhiqej lakuriq nëpër rrugët e kryeqytetit. Që prej asaj kohe, nuk ka informacione mbi gjendjen e tij.

Reagimi i ushtrisë dhe masat

“Synimi ynë është të rikthejmë normalitetin,” tha zëdhënësi i ushtrisë, Raja Ram Basnet, duke theksuar se forcat janë të vendosura të mbrojnë jetën dhe pronën e qytetarëve. Automjete të blinduara patrullojnë rrugët e Katmandusë, dyqanet dhe tregjet mbeten të mbyllura, ndërsa urdhri për ndalim-qarkullimin do të zgjasë të paktën deri të enjten në mëngjes.

Pse dolën të rinjtë në rrugë?

Shumica e protestuesve ishin të rinj, të zhgënjyer nga korrupsioni, mungesa e punësimit dhe dështimet e qeverisë për të ofruar perspektivë ekonomike. Prej vitesh, miliona nepalezë janë detyruar të emigrojnë drejt Malajzisë, Lindjes së Mesme apo Koresë së Jugut për të mbajtur familjet.

Nepali, i vendosur mes Indisë dhe Kinës, vuan nga paqëndrueshmëria politike që prej vitit 2008, kur protestat masive rrëzuan monarkinë.

Reagimet ndërkombëtare dhe hapat e ardhshëm

Kryeministri indian Narendra Modi u bëri thirrje nepalezëve që të ruajnë paqen, duke e cilësuar stabilitetin e vendit fqinj si me rëndësi jetike për rajonin.

Ndërkohë, mediat vendase raportojnë se po përgatiten negociata mes qeverisë dhe përfaqësuesve të protestuesve, megjithëse detajet ende mungojnë. Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Balaram K.C., u bëri thirrje protestuesve të formojnë një grup negociator dhe kërkoi shpërndarjen e parlamentit e organizimin e zgjedhjeve të reja, duke propozuar krijimin e një qeverie të përkohshme.