Një udhëtim rrugor bëhet shumë më i këndshëm kur shoqërohet me peizazhe mbresëlënëse. Nga pyjet e egra të Kanadasë deri te brigjet piktoreske të Kroacisë, itineraret e bukura janë të shumta – por cili është vendi me pamjet më mahnitëse nga të gjitha?
Për ta zbuluar këtë, platforma e makinave me qira DiscoverCars zhvilloi një sondazh me 6,449 drejtues nga e gjithë bota, duke i pyetur ata që të vlerësonin peizazhet që kanë parë gjatë udhëtimeve të tyre me makinë, nga 1 deri në 10. Më pas, u përllogarit një mesatare për çdo vend dhe u përpilua renditja.
Në krye të listës doli Irlanda, me një vlerësim mesatar 9.52 pikë. E njohur si “Ishulli i Gjelbër”, reshjet e shpeshta të shiut ushqejnë peizazhe të gjelbëruara dhe të pacënuara nga njeriu. Një nga rrugët më të famshme është Wild Atlantic Way, një itinerar i gjatë bregdetar që shtrihet nga Donegal në veri deri në Cork në jug.

Në vendin e dytë u rendit Zelanda e Re, një destinacion që shpesh cilësohet si më i bukuri në botë për natyrën dhe rrugët e tij. Ndërsa vendin e tretë e ndajnë Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Për Portugalinë, bregdeti spektakolar i Algarve dha kontribut të madh, ndërsa për Britaninë, zonat si Lake District, Peak District, Uellsi Verior dhe malet Highlands të Skocisë ishin padyshim vendimtare.

Renditja e vendeve me pamjet më të bukura sipas drejtuesve të makinave:
1. Irlanda
2. Zelanda e Re
3. Portugalia
4. Mbretëria e Bashkuar
5. Kroacia
6. Greqia
7. Polonia
8. Italia
9. Qipro
10.Franca
11.Spanja
12.SHBA
13.Mauritius
