Britania e Madhe po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të thatësirës, ndërsa mungesa e reshjeve dhe vala e gjashtë e të nxehtit për këtë vit mund të sjellin kufizime të reja në përdorimin e ujit. Mes masave që po shqyrtohen është edhe ndalimi i përdorimit të ujit për lavazhet e makinave dhe disa pishina.

Rreth 27 milionë njerëz në Angli dhe Uells janë tashmë nën masa kufizuese për përdorimin e zorrave të ujit, pasi nivelet e rezervuarëve kanë rënë ndjeshëm pas një pranvere dhe vere jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë.

Nëntë kompani të furnizimit me ujë kanë vendosur kufizime, të cilat ua ndalojnë ligjërisht qytetarëve përdorimin e zorrëve për ujitjen e kopshteve apo larjen e makinave, oborreve dhe varkave.

“Southern Water” është një prej kompanive që ka vendosur masa të tilla në Hampshire dhe Isle of Wight që prej 10 korrikut. Megjithatë, kompania mund të shkojë edhe më tej, duke i kërkuar qeverisë një urdhër të posaçëm për thatësirën dhe ndalimin e përdorimit jo të domosdoshëm të ujit, masa që këtë herë do të preknin edhe bizneset.

Nëse kërkesa miratohet, kompanitë nuk do të lejohen të përdorin ujë për larjen e makinave dhe xhamave me zorra apo pajisje mekanike, si dhe për mbushjen e pishinave jo publike.

Kufizimet për pishinat do të preknin kryesisht ato që përdoren nga anëtarët e klubeve private, palestrave apo shoqatave. Në këtë kategori mund të përfshihen gjithashtu pishinat e hoteleve, parqeve turistike dhe qendrave private të fitnesit që nuk janë të hapura për publikun e gjerë.

Masat do t’u ndalonin bizneseve gjithashtu ujitjen e bimëve në ambientet e jashtme të pronave tregtare, mbushjen ose mirëmbajtjen e pellgjeve, larjen e automjeteve, anijeve, avionëve dhe trenave, pastrimin e impianteve industriale, përdorimin e ujit për reduktimin e pluhurit, si dhe funksionimin e cisternave në ndërtesat e pabanuara.