Një numër gjithnjë në rritje universitetesh, qendrash akademike dhe organizmash shkencorë po i ndërpresin bashkëpunimet me institucionet izraelite, si reagim ndaj politikave të qeverisë së Izraelit ndaj palestinezëve.

Sipas The Guardian, ky qëndrim lidhet me zhvillimet në Rripin e Gazës, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë vrarë mbi 63 mijë persona, ndërsa kriza humanitare përshkruhet si “e shkaktuar nga njeriu”.

Shembuj të fundit përfshijnë Universitetin Federal të Ceará-s në Brazil, i cili anuloi një samit inovacioni me një universitet izraelit, si dhe disa universitete në Norvegji, Belgjikë dhe Spanjë që kanë ndërprerë marrëdhëniet me partnerët e tyre izraelitë. Po ashtu, këtë verë Trinity College në Dublin hoqi dorë nga bashkëpunimet, ndërsa Universiteti i Amsterdamit mbylli një program shkëmbimi me Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Edhe Shoqata Evropiane e Antropologëve Socialë ka njoftuar se nuk do të bashkëpunojë më me institucione akademike izraelite, duke i ftuar anëtarët e saj të ndjekin të njëjtën linjë.

Sipas aktivistes Stephanie Adam, universitetet izraelite janë pjesë e “regjimit kolonial të aparteidit dhe tani edhe të gjenocidit”, prandaj – siç thotë ajo – ekziston një “detyrim moral dhe ligjor” për të ndërprerë çdo lidhje.

Megjithatë, në vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, kjo qasje ka gjetur pak mbështetje. Universities UK ka theksuar se nuk përkrah bojkotet akademike, duke u shprehur për “rëndësinë e shkëmbimit të lirë të ideve, pavarësisht origjinës gjeografike apo kombëtare”. Në të njëjtën linjë, edhe Royal Society në Britani ka deklaruar se është kundër bojkotit në arsimin e lartë.