NZZ shkruan se akuzat u forcuan kur, katër ditë pas bastisjeve në Moldavi, autoritetet serbe arrestuan dy persona, të dy shtetas serbë, të cilët dyshohen se kishin organizuar trajnime paraushtarake për 150 deri në 170 moldavë dhe rumunë nga mesi i korrikut deri në shtator.
Sipas gazetës, këto arrestime ndihmuan Serbinë të shmangte përkohësisht një “katastrofë diplomatike”. Por, siç thekson autori, mbetet një pyetje e pakëndshme për Beogradin:
“A po shërben Serbia si bazë për përpjekjet ruse për destabilizimin e Evropës?”
NZZ nënvizon se ka arsye për të besuar se përgjigjja është po. Vetëm tre ditë pas arrestimeve të para, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi ndalimin e 11 personave të tjerë, të gjithë serbë, të cilët dyshohen se kishin kryer akte provokuese në Francë: vendosjen e kokave derrash para xhamive në Paris dhe hedhjen e bojës së gjelbër në institucione hebraike, përfshirë Muzeun e Holokaustit dhe disa sinagoga.
Pista ruse dhe arrestimet në Evropë
Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, të arrestuarit kishin vepruar “me urdhër të një shërbimi të inteligjencës së huaj”, me synimin për të nxitur urrejtje, diskriminim dhe dhunë ndaj grupeve me origjinë, ngjyrë apo fe të ndryshme.
Artikulli kujton gjithashtu se Franca, në qershor, kishte akuzuar tre shtetas serbë për një sulm me bojë ndaj një institucioni hebraik, ndërsa edhe ajo dyshon se Rusia është prapa këtyre veprimeve.
Ekspertët e sigurisë, të cituar nga gazeta, theksojnë se është “gati e pamundur” që kampe të tilla trajnimi të funksionojnë në territorin serb pa dijeninë e strukturave të sigurisë ose të regjimit vetë. Në vitin 2024, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Moldavi, qarkullonin raportime për kampe trajnimi të kontrolluara nga Rusia në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnjës, ndërkohë që autoritetet serbe kishin zgjedhur heshtjen.
Politika e ekuilibrit të Vuçiçit në provë
Gazeta zvicerane pyet pse Serbia po ndërmerr tani këto arrestime, ndonëse ato e vendosin vendin në një dritë të keqe ndërkombëtarisht.
Sipas analizës, kjo lidhet me politikën e balancimit të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili për vite me radhë ka kërkuar të ruajë marrëdhënie të mira dhe fitimprurëse me Rusinë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Deri më tani, kjo strategji i ka sjellë investime nga të gjitha anët dhe i ka siguruar Vuçiçit prani në qendrat kryesore të fuqisë botërore – nga Berlini dhe Brukseli, te Pekini, Moska dhe madje Mar-a-Lago.
Megjithatë, kjo politikë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbajtur, duke shkaktuar tensione me të gjitha palët – përfshirë edhe vetë Rusinë.
Autori përfundon se si kampet e trajnimit ashtu edhe arrestimet e fundit tregojnë sa e ndërlikuar është bërë për Beogradin të ruajë ekuilibrin mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Nëse arrestimet u kryen vetëm për të shmangur sanksionet kundër kompanisë ruse të naftës NIS, kjo mbetet për momentin një çështje spekulative,” përmbyll NZZ.