Një gjykatë në Australi ka dhënë një vendim të pazakontë, duke e cilësuar një petull me krem si “armë sulmi”. Vendimi lidhet me një incident të ndodhur në vitin 2023 në qytetin Darwin, ku një grua hodhi një petull në fytyrën e kryeministres së atëhershme të Territorit Verior, Natasha Fyles.

Autorja e sulmit, Suzanne Lee Milgate, 56 vjeçe, u dënua me 12 muaj burg me kusht, pasi petulla që ajo hodhi e goditi Fyles në fytyrë, duke i shkaktuar mavijosje poshtë syrit. Ngjarja ndodhi në një treg vendor, në prani të qytetarëve. Milgate deklaroi se veprimi i saj ishte një formë proteste kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj COVID-19.

Megjithatë, gjyqtari e hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për një akt proteste, por për një sulm të qëllimshëm me rrethana rënduese. Sipas gjykatës, fakti që Milgate e kishte përgatitur paraprakisht aktin dhe kishte kërkuar që sulmi të filmohej, tregon se veprimi ishte i menduar dhe i planifikuar. Gjykatësi nënvizoi gjithashtu se e pandehura nuk shfaqi pendesë për veprimin e saj.

Edhe pse vepra penale parashikon një dënim maksimal deri në pesë vite burg, gjykata mori parasysh rrethanat personale të Milgate, përfshirë gjendjen e saj të rënduar psikologjike, humbjen e biznesit dhe faktin se ajo kishte kaluar 24 ditë në paraburgim.