Norvegji


Shpallja e vendimit të gjykatës u bë nën masa të rrepta sigurie


Supervrasësi, i cili u shndërrua në njeriun më të urryer të Norvegjisë, që me veprimet e tij gjakftohta dhe të parapërgatitura u mori jetën 77 të rinjve, një vit më parë, është dënuar me 21 vite burgim. Ai e pranoi gjatë gjykimit vrasjen e të rinjve kur bombardoi qendrën e Oslos dhe kur vrau vetë me dorë të rinjtë në një ishull. Ai ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se ka qenë mirë mendërisht dhe se kishte pasur një qëllim të qartë për këto vrasje, edhe pse i vinte keq për viktimat e shumta. Sipas tij, ky ishte një veprim kundër islamizimit të Norvegjisë. Vrasësi norvegjez Anders Behring Breivik duhet të shkojë në burg. Gjykatësit në Oslo i shqiptuan atij dënimin maksimal prej 21 vjetësh heqje lirie. Megjithatë Gjykata në Oslo kumtoi se edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, ai do të mbahet nën masa sigurie. Kështu, vrasësi konsiderohet normal dhe duhet të marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij masive me 77 viktima verën e kaluar. Shpallja e vendimit të gjykatës u bë nën masa të rrepta sigurie. Breivik ishte akuzuar për terrorizëm dhe vrasje me paramendim. Breivik nuk e kishte mohuar asnjëherë se më 22 korrik 2011 kishte vrarë tetë njerëz, duke shpërthyer një bombë në lagjen qeveritare në Oslo. Pastaj ai kishte shkuar në ishullin Utöya, ku ai kishte qëlluar dhe vrarë me gjakftohtësi të rinj pjesëmarrës në një kamp rinor socialdemokrat. Në gjykatë, ai u ballafaqua me skenat e masakrës dhe deklaroi se ai do ta kryente krimin përsëri. Në sytë e tij, të rinjtë ishin tradhtarë që luftonin për një shoqëri multikulturore dhe integrimin e myslimanëve. Si motiv, radikalisti i djathtë përmendi urrejtjen ndaj islamit dhe socialdemokratëve që qeverisin në Norvegji. Sipas tij, ai ka punuar nëntë vjet për përgatitjet e këtyre sulmeve. Para se të kryente masakrën, ai publikoi në internet një manifest prej 1500 faqesh, i cili ndër të tjera drejtohej kundër “marksizmit kulturor” dhe imigrimit të myslimanëve.