Mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën në Spanjë gjatë muajve të verës, në raste të lidhura me temperaturat e larta. Shifra për periudhën qershor-gusht është më e larta që prej vitit 2015, kur nisën të mblidhen këto të dhëna.
Sipas Institutit Shëndetësor Carlos III, gjatë tre muajve u regjistruan gjithsej 5,111 vdekje të lidhura me të nxehtin.
Numri më i lartë u regjistrua në gusht, me 2,149 vdekje, ndërsa në korrik u shënuan 2,025 dhe në qershor 937.
Shifra e këtij viti kalon rekordin e mëparshëm, të regjistruar në vitin 2022, kur temperaturat e larta u lidhën me 4,652 vdekje gjatë të njëjtës periudhë.
Në vitin 2025 u regjistruan 3,651 vdekje të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2024 shifra ishte rreth 1,977.
Të dhënat bazohen në sistemin spanjoll MoMo, i cili monitoron në mënyrë të përditshme vdekshmërinë. Sistemi krahason numrin e vdekjeve të regjistruara me numrin që pritet bazuar në të dhënat historike.
Në përllogaritje përfshihen edhe temperaturat e regjistruara nga shërbimi meteorologjik spanjoll Aemet.
Spanja ka kaluar këtë vit një verë me disa valë të njëpasnjëshme temperaturash ekstreme. Korriku i vitit 2026 ishte ndër muajt më të nxehtë të regjistruar në vend, ndërsa Aemet e cilësoi atë edhe si korrikun më të thatë që prej fillimit të regjistrimeve në vitin 1961.
I nxehti nuk pritet të largohet menjëherë.
Shërbimi meteorologjik spanjoll ka paralajmëruar se shtatori mund të nisë me temperatura shumë mbi normalen, me disa zona që mund të regjistrojnë vlera më shumë se 10 gradë Celsius mbi temperaturat tipike të kësaj periudhe.
Ekspertët e lidhin rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike. Spanja konsiderohet ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj temperaturave ekstreme, duke e bërë të nxehtin një rrezik të rëndësishëm gjatë muajve të verës.
