Informacionet paraprake për variantin e ri të COVID-19 tregojnë që ai mund të ndikojë në efikasitetin e disa metodave diagnostike dhe mund të jetë më ngjitës, por, tani për tani nuk ka prova të një ndryshimi në ashpërsinë e sëmundjes.


“Shkencëtarët britanikë ende po përpiqen të zbulojnë se sa nga kjo rritje ndodh për shkak të ndryshimeve në virus dhe sa lidhet me faktorët e sjelljes në mesin e popullatës”, tha shkencëtarja kryesore e OBSH-së për COVID-19, Maria Van Kerkhove.


“Nuk ka asnjë provë deri më tani që lloji i ri shkakton sëmundje më të rëndë ose më vdekjeprurëse”, theksoi ajo.


Sipas OBSH-së, personat që preken nga varianti i ri infektojnë mesatarisht 1,5 persona të tjerë, në krahasim me një normë riprodhimi prej 1,1 për variantet e njohura më parë në BM.


“Varianti i ri i COVID-19 i gjetur në BM është përhapur më shpejt, por ai mund të frenohet ashtu si llojet e tjera të njohura”, theksuan zyrtarët e OBSH-së.


“Kjo situatë nuk është jashtë kontrollit, megjithatë virusi nuk duhet lënë i lirë”, tha kreu i OBSH-së për Urgjencat Shëndetësore, Mike Ryan, në një konferencë për shtyp, duke u kërkuar vendeve të zbatojnë masa të provuara shëndetësore.


Sipas Kerkhove, OBSH do të sigurojë më shumë informacion sapo të ketë një pamje më të qartë të karakteristikave të këtij varianti.