Rastet ku është gabuar me dënimin me vdekje janë të shumta në të gjithë botën, dhe kjo ka bërë që kjo masë ekstreme të ndalohet në disa vende.

Historia e 14-vjeçarit afro-amerikan, George Stinny Jr është ndoshta një ndër më mizoret dhe më të dhimbshmet njëkohësisht. Në vitin 1944, ai u akuzua për vrasjen e dy vajzave të bardha.

Betty June Binnicker, 11 vjeç dhe Mary Emma Thames, 7 vjeç u gjetën të vdekura në një kanal, në Alcolu, Karolina e Jugut. Në trupin e tyre nuk kishte shenja dhune, ndërsa të dyja vajzat kishin dëmtime shumë të rënda në kokë. Madje njëra e kishte kafkën plotësisht të çarë. Goerge në atë kohë kishte një fizik të dobët, ndërsa peshonte vetëm 30 kg, duke ulur mundësinë që të mund t’i shkaktonte vajzave ato plagë.

Ai u fut në listën e të dyshuarve vetëm sepse një dëshmitar tregoi se e kishte parë duke folur me vajzat. Më herët u raportua edhe që vajzat kishin bërë një ndalesë në një shtëpi me njerëz të bardhë përpara se të shpalleshin të zhdukura, por gjithsesi ky rast nuk u përfshi në hetime.

Ndikuar dhe nga situata e vështirë në të cilën njerëzit me ngjyrë gjendeshin në atë kohë në SHBA për shkak të racizmit të skajshëm, jurisë në gjyq iu deshën vetëm 10 minuta për ta shpallur të miturin fajtor, edhe pse nuk kishte asnjë provë që e lidhte atë me krimin.

Dy muaj më vonë ai u vra në një karrige elektrike, pa mundur t’i thoshte lamtumirë as familjes së tij. U deshën vetëm 83 ditë për ekzekutimin e tij, ndërsa ai është personi më i ri që është vrarë në një karrige elektrike.

Që prej asaj kohe, familja e tij u përpoq në çdo moment për të gjetur drejtësi. Dhe kjo u arrit vetëm në vitin 2014, kur  gjykata e shpalli 14-vjeçarin të pafajshëm.