Lajmi për arrestimin e Andew Tate dhe vëllait të tij ishte kryesor në mediat botërore, teksa pamjet e ndalimit po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.

Dhe kjo pikërisht sepse rrjetet sociale ishin “ushqimi” që e rriti Andrë Tate-n dhe vëllain e tij. Dy vëllezërit Tate shfrytëzuan rrjetin social “tik tok” për të marrë sa më shumë vëmendje, por edhe për ngritur “biznesin” e tyre.

Andrew Tate u bë i famshëm fillimisht për deklaratat e tij, ku e cilësonte dhunën ndaj grave si normale dhe të nevojshme, nëse partnerja e tij nuk i bindet. Madje ai shkoi dhe më tej, teksa publikoi episode të dhunës ekstreme në tik tok.

Duke parë reagimin e publikut, ai u detyrua më pas t’i fshinte, ndërsa tha se ishte thjeshtë një lojë seksi, që e bënte në shtrat me partneret e tij, dhe nuk ka asgjë të keqe.

Por kjo video solli dhe reagimin e aktivistes së njohur, Greta Thunberg, e cila duket se është dhe arsyeja që çoi në arrestimin e tij.

Andrew dhe vëllai i tij, Tristan, u arrestuan në Rumani dhe aktualisht ndodhen në paraburgim në Bukuresht. Autoritetet dukej se ishin në gjurmët e dy vëllezërve, por një video e Tate që tallte Thunberg ishte ajo që zbuloi vendodhjen e tij dhe i ndihmoi autoritetet ta gjurmonin atë. Më konkretisht, pica rumune që ai po shijonte në një nga videot e tij dhe logoja e saj çoi në zbulimin dhe arrestimin e tij më pas.

Influencuesi Tate po hetohej nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) dhe raportet në Rumani pretendojnë se ai dhe vëllai i tij janë duke u marrë në pyetje për akuzat e trafikimit të femrave.

Sipas informacioneve të “Daily Mirror”, dy vëllezërit kishin kaluar edhe në hetuesi në muajin prill, pasi dy vajza kishin pretenduar se ishin detyruar të kryenin akte seksuale kundër dëshirës së tyre. Megjithatë, të dy u lanë të lirë, pavarësisht se hetimi vazhdon për t’i çuar autoritetet drejt identifikimit dhe arrestimit eventual të tyre. Vëllezërit Tate dhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, pritet të përballen me akuzat e përdhunimit, trafikimit të femrave dhe formimit të një grupi të krimit të organizuar.

Sipas agjencicë rumune, prokurorët thanë se vëllezërit Tate krijuan një grup krimi të organizuar me qëllim të rekrutimit dhe shfrytëzimit të femrave duke i detyruar ato të krijojnë përmbajtje pornografike, nga të cilat kanë fituar shuma të konsiderueshme parash.