Një person ka humbur jetën dhe 39 të tjerë janë plagosur, një prej tyre në gjendje të rëndë, pas një aksidenti të rëndë me tramvaj në Milano.

Sipas raportimeve paraprake, mjeti – i cili kishte hyrë në shërbim vetëm disa javë më parë – doli nga shinat dhe përfundoi duke u përplasur me një dyqan. Në momentin e aksidentit, tramvaji ishte i mbushur me pasagjerë, shumica e të cilëve pësuan lëndime si pasojë e përplasjes dhe rënies brenda mjetit.

Viktima është nxjerrë nga poshtë tramvajit dhe dyshohet se ka qenë një kalimtar që po lëvizte në trotuar në çastin e aksidentit.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar video nga momenti kur tramvaji del nga shinat dhe përplaset me godinën, duke shkaktuar panik mes qytetarëve.

Prokurori i Milanos, Marcello Viola, ka mbërritur në vendngjarje dhe pritet të hapë një dosje për vrasje nga pakujdesia, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.