Papa Françesku është rikthyer sërish në shërbesat kishtare, vetëm disa ditë pasi la spitalin.

Ai ka marrë pjesë në shërbesën e të enjtes së madhe, me dhjetëra kardinalë dhe peshkopë, dhe rreth 1,880 priftërinj, që u mblodhën në Bazilikën e Shën Pjetrit, Romë.

Papa më vonë udhëtoi për në burgun e Casal del Marmo në periferi të qytetit, ku lau dhe puthi këmbët e 12 të burgosurve të rinj në një gjest që synonte të përkujtonte përulësinë e Jezusit ndaj apostujve të tij në natën para vdekjes së tij.

Papa , tashmë 86 vjeç u shfaq shëndetplotë në publik, edhe pse më herët u ngritën shqetësime për shëndetin e tij.

Besimtarët katolikë kremtojnë këtë të dielë Pashkën e Madhe, festa më e rëndësishme për të krishterët, teksa e gjithë kjo javë është e mbushur me kremtime të shumta.