Një aksident i rëndë ka ndodhur në Makhachkala të Dagestanit, në Rusi, ku një ashensor me nëntë persona ka rënë nga një lartësi prej rreth 15 metrash. Pamjet e publikuara tregojnë grupin brenda ashensorit pak para se kabina të pësonte defekt dhe të rrëzohej rreth katër kate më poshtë. Nga përplasja, disa prej personave u përplasën me dyshemenë e ashensorit, ndërsa katër prej tyre pësuan fraktura në këmbë dhe u dërguan në spital. Ministria rajonale e Shëndetësisë konfirmoi se katër të plagosurit po merrnin trajtim mjekësor dhe se asnjëri prej tyre nuk ndodhej në rrezik për jetën.

Sipas autoriteteve, në ashensor ndodheshin nëntë persona, ndërkohë që kapaciteti maksimal i lejuar ishte vetëm gjashtë. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar gjithashtu probleme serioze me statusin e ndërtesës. Pallati ishte përfunduar në vitin 2021, por ashensori nuk kishte marrë certifikatën e nevojshme të funksionimit dhe nuk ishte dorëzuar zyrtarisht te autoritetet lokale.

Ndërtesa është një nga rreth 180 pallatet shumëkatëshe të paautorizuara në zonë. Inspektorati i Strehimit i Dagestanit po heton nëse ashensori funksiononte në mënyrë të ligjshme dhe nëse përmbushte standardet teknike të sigurisë. Ndërkohë, Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur një procedim penal për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.