Terrori përfshiu një shkollë në Turqi, kur një nxënës qëlloi drejtorin me armë zjarri, gjatë pushimit.
39-vjeçari u plagos rëndë në këtë incident të dhunshëm. Sipas mediave turke, një javë para incidentit, drejtori i bëri një vërejtje të miturit kur ai erdhi në shkollë me një biçikletë elektrike. Viktima është plagosur rëndë dhe ndodhet i shtruar në spital në gjendje kritike në Spitalin e Shkollës Mjekësore të Universitetit të Mersinit.
Autori i mitur u arrestua, ndërsa babai i tij është gjithashtu në paraburgim, për faktin se dyshohet që mund të ketë bashkëpunuar apo ndihmuar të birin me armën.
Sipas pamjeve të publikuara nga mediat, të filmuara nga kamerat e sigurisë së shkollës, dallohet nxënësi teksa afrohet në befasi, në momentin që drejtori ishte ulur mbi një stol. Ai nxjerr armën dhe ia drejton duke e qëlluar e më pas largohet. Drejtori përkulet dhe mban me duar plagën, kurse personat që ndodhen afër largohen me vrap nga frika.




