Një incident i rëndë u regjistrua këtë të enjte në Serbi, ku një automjet u fut mes një proteste studentore pranë Fakultetit të Drejtësisë në Beograd, duke plagosur një 90-vjeçar.

Sipas mediave serbe, studenti dhe qytetarë po mbanin 16 minuta heshtje në kujtim të viktimave të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sad në vitin 2024. Shoferi tentoi të kalonte me forcë mes turmës, por u ndal nga protestuesit. Pas debatit, ai doli nga makina dhe sulmoi disa prej pjesëmarrësve në protestë.

Më pas, drejtuesi i mjetit hipi sërish në automjet dhe bëri marsh pas, duke përplasur një të moshuar rreth 90 vjeç dhe duke tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes. Studentët deklaruan në rrjetet sociale se një student i Fakultetit të Drejtësisë u godit fizikisht nga shoferi gjatë përplasjes.

Në zonë ndodheshin forca të shumta policie, të cilat sipas protestuesve fillimisht nuk ndërhynë. Policia reagoi vetëm pasi u plagos i moshuari, duke arrestuar autorin. I plagosuri u transportua me ambulancë në spital, ku mediat raportojnë se ka pësuar frakturë në kofshë.