Atmosfera në qytetin Morawa, në Australinë Perëndimore, është mbytëse. Dhe nuk është vapa apo vala e të nxehtit që duhet fajësuar. Një erë e fortë ka përfshirë gjithçka. Është një kombinim urine, jashtëqitjesh dhe kufomash të kalbura… Era mbulon të gjithë qytetin. Është aq e “rëndë” dhe e tmerrshme sa shumë banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe pasuritë e tyre për t’i shpëtuar epidemisë më të keqe të minjve të regjistruar ndonjëherë.
Në muajt e fundit, popullata e minjve në të gjithë brezin e drithërave të Australisë Perëndimore ka shpërthyer deri në atë pikë sa ka tronditur edhe fermerët më me përvojë. Agjencia qeveritare e Australisë, CSIRO, vlerëson se ka 400 fole aktive për hektar. Që të konsiderohet një shpërthim, nevojiten 40 fole aktive (rreth 800 minj).
Murtaja e minjve po i terrorizon fermerët, teksa gjurmët e brejtësve janë kudo në Moravi, në mure, tavane, dysheme, ushqim dhe madje edhe në shtretër. Çdo natë, brejtësit vërshojnë në rrugë “si një lumë”, duke krijuar një skenë tmerri. Punëtorët e drithërave kanë raportuar se kanë parë minj duke kërcyer nga makinat e tyre ndërsa punojnë dhe nga zonat ku ruajnë drithërat. Sigurisht, përveç minjve të gjallë, ka edhe minj të ngordhur që mbulojnë tokën në disa vende.
