Të paktën dy persona mbetën të vdekur, pasi u përplasën nga një makinë Tesla në Kinë.
Ngjarja ndodhi në provincën jugore të Guangdong, ndërsa viktimat ishin një vajzë adoleshente dhe një motoçiklist. Ndërkohë mbetën të plagosur dhe tre persona.
Automjeti testohej nga një 55-vjeçar, i cili pretendoi se kishte një problem me frenat e tij përpara përplasjes fatale dhe, se nuk po e kontrollonte dot makinën.
Megjithatë, ky argument është hedhur poshtë nga kompania Tesla. Në një reagim pas ngjarjes, kompania, në pronësi të miliarderit Elon Musk , konfirmoi të dielën se po ndihmonte policinë në qytetin Chaozhou me hetimin e incidentit.
“Policia aktualisht po kërkon një agjenci vlerësuese të palës së tretë për të identifikuar të vërtetën pas këtij aksidenti dhe ne do të ofrojmë në mënyrë aktive çdo ndihmë të nevojshme.”- thuhej në njoftim.
Kina është tregu i dytë më i madh i Tesla-s dhe përplasja tronditëse ishte ndër temat kryesore në trend në platformën e mediave sociale Weibo të ngjashme me Twitter të dielën.
Policët e trafikut në qytetin Chaozhou thanë se shkaku i përplasjes nuk dihet ende. Policia lokale thuhet se ka përjashtuar mundësinë që pronari i Tesla-s të ngasë nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.
Një anëtar i familjes së shoferit – i mbiquajtur Zhan – pohoi se ai kishte një problem me pedalin e frenave kur ishte gati të tërhiqej përpara dyqanit të familjes së tij.