Opinioni publik në Francë është shokuar pas publikimit të një videoje të rëndë, ku një person i pastrehë sulmon një 73-vjeçare, në përpjekje për të rrëmbyer mbesën e saj të mitur.

E moshuara dhe 7-vjeçarja u tërhoqën zvarrë nga shtëpia e tyre dhe u përplasën në trotuar nga sulmuesi, i cili kishte bllokuar derën e shtëpisë së të moshuarës me këmbë, për të hyrë fshehurazi dhe për të kapur viktimat e tij.

Më pas ai e ngriti me dhunë fëmijën që qante në këmbë, përpara se ta hidhte mënjanë, teksa rrëmbeu disa nga gjërat e pensionistes.

Fëmija më pas mund të shihet duke vrapuar tek gjyshja e saj e tmerruar, me qenin e familjes që shfaqet në derë, gjë që, prokurorët thonë, mund ta ketë trembur sulmuesin. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17:30 në Place de l’Europe, në zemër të Bordeaux.

I dyshuari, një francez i pastrehë, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur, u arrestua një orë më vonë, sipas CNEWS të Francës. Policia përdori një armë elektroshok gjatë arrestimit të tij për shkak të gjendjes së tij të shqetësuar. Ai ishte i njohur për policinë me rreth 15 dënime të mëparshme.