Është publikuar momenti, kur kandidati i qendrës për zgjedhjet presidenciale në Ekuador, Fernando Villavicencio, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga persona ende të panjohur.

59-vjeçari Villavicencio ishte duke u futur në makinë e tij pas një takimi elektoral, ku u dëgjuan të shtanat mes turmës. Një plumb në kokë rezultoi fatal për kandidatin duke i marrë dhe jetën.

Fernando Villavicencio ishte mes tetë kandidatëve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit. Sipas sondazheve të fundit, ai renditej i dyti sa i përket preferencave të votuesëve.

Vitet e fundit, Ekuadori është goditur nga një valë dhune që i atribuohet bandave të trafikut të drogës. Gjatë procesit parazgjedhor u vra edhe një kryetar bashkie dhe një kandidat për deputet, teksa shkalla e vrasjeve në vend u dyfishua në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 25 për 100,000 banorë – niveli më i lartë në historinë e vendit.