Të paktën dy persona kanë vdekur në SHBA, ndërsa Uragani Idalia “zbarkon” në Florida.
Një burrë 59-vjeçar ka vdekur pasi ra në një kanal në plazhin Keaton dhe u përplas me një vijë pemësh aty pranë. Nga ana tjetër, në qarkun Pasco, një burrë 40-vjeçar që po drejtonte kamionin e tij “me shpejtësi të madhe për kushte ” humbi kontrollin dhe u përplas me një pemë.
Sipas raportimeve të fundit, situata është jashtëzakonisht e vështirë në qytetin Hudson, të qarkut Pascoe, i cili është përmbytur dhe një numër i mirë banorësh janë bllokuar brenda shtëpive të tyre.
Zona ishte evakuuar, megjithatë disa vendosën të qëndronin në pronat e tyre dhe tani janë në rrezik nga niveli i ujit, i cili është rritur në nivele jashtëzakonisht të rrezikshme. Disa u shpëtuan në varka, ndërsa të tjerët refuzuan të largoheshin.
Uragani Idalia goditi Florida sot me erëra prej 175 km/h dhe siç raportojnë autoritetet, kushtet që shkakton janë potencialisht të rrezikshme për jetën.
Idalia është uragani më i fortë në zonën “Big Bend” në më shumë se 125 vjet. Ajo ka shkaktuar përmbytje në zonat bregdetare dhe ka lënë pa energji rreth 264,000 banorë të Floridës. Më shumë se 900 fluturime u anuluan nga linjat ajrore amerikane si rezultat i uraganit Idalia këtë pasdite, sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightAware.
Disa linja ajrore, duke përfshirë Southwest, Delta, JetBlue, American Airlines dhe United anuluan fluturimet dhe këshilluan pasagjerët të bënin ndryshime në planet e udhëtimit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tampës dhe aeroportet e tjera rajonale pezulluan operacionet tregtare të martën përpara mbërritjes së Idalia.
Uragani, i cili që atëherë është reduktuar në një kategori 1 në shkallën pesëpikëshe Saffir-Simpson, ka mbajtur erëra prej 150 kilometrash në orë, por parashikohet të zvogëlohet më tej në një stuhi tropikale gjatë natës ndërsa lëviz përgjatë brigjeve të Jugut dhe Veri Carolina.
Në bregun perëndimor të Floridës, rrugët e shumicës së qyteteve ishin të shkreta dhe, në disa raste, të përmbytura. Në Steinhatch, rruga kryesore i ngjante një lumi.