Parlamenti i Izraelit ka miratuar sot një ligj të diskutueshëm që do ta bëjë normë dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse, duke përmbushur një premtim të aleatëve të ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ligji do ta bënte të detyrueshëm dënimin me vdekje për terroristët, por në praktikë do të zbatohej vetëm për palestinezët e dënuar për sulme anti-Izrael. Projektligji u miratua me 62 vota pro dhe 48 kundër. Netanyahu ishte midis atyre që votuan pro, siç ishte, sigurisht, edhe ministri i tij, Itamar Ben-Gvir, i cili u përpoq të hapte shampanjë.

Sipas këtij projektligji, kushdo që me dashje ose nga pakujdesia shkakton vdekjen e një qytetari izraelit për arsye racizmi ose armiqësie ndaj një komuniteti dhe me qëllim dëmtimin e Shtetit të Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij, do të përballet me dënimin me vdekje.

Para votimit të sotëm, projektligji ishte kritikuar ashpër nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë, të cilët theksuan se ai çon në diskriminim de facto kundër palestinezëve dhe minon angazhimet e Izraelit ndaj parimeve demokratike. Një OJQ izraelite për të drejtat e njeriut njoftoi menjëherë se po apelonte në Gjykatën Supreme të Izraelit, duke sfiduar vlefshmërinë e ligjit, disa minuta pasi ai u miratua nga Knesseti.

“Ligji është kushtetues, de facto diskriminues dhe, për palestinezët në Bregun Perëndimor, u miratua pa bazë ligjore”, tha në një deklaratë Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI).

Në Izrael, dënimi me vdekje për krimin e vrasjes u hoq në vitin 1954. I vetmi person i ekzekutuar ndonjëherë në vend pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann, arkitekti i Holokaustit, në vitin 1962. Gjykatat ushtarake ruajnë mundësinë për të vendosur dënimin me vdekje ndaj të pandehurve, por nuk e kanë bërë këtë deri më tani.