Gjatë një darke zyrtare pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Armeni, presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka surprizuar të pranishmit duke treguar një anë të tij më të lirshme dhe artistike.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Macron shfaqet me mikrofon në dorë teksa interpreton këngën e njohur franceze “La Bohème”, një baladë klasike e vitit 1965 e kënduar fillimisht nga Charles Aznavour.

Presidenti i Francës shihet duke kënduar ndërsa shoqërohet muzikalisht nga kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, i cili luan në bateri, duke i dhënë një atmosferë të veçantë dhe joformale eventit diplomatik.

Kënga “La Bohème” është një prej baladave më të njohura franceze dhe trajton jetën e artistëve të rinj që jetonin në varfëri, duke kujtuar me nostalgji periudhën bohemiane në lagjen Montmartre të Parisit.

Momenti është komentuar gjerësisht në media dhe rrjete sociale, duke e paraqitur Macron në një dimension më njerëzor dhe spontan, përtej rolit të tij politik.