Ibiza, destinacioni i njohur botërisht për jetën e natës dhe klubet e luksit, është përballur me stuhinë më shkatërruese të 70 viteve të fundit. Në më pak se 24 orë, mbi ishull ranë 254 litra shi për metër katror, duke thyer çdo rekord historik që nga viti 1952.
Stuhia “Gabrielle”, e formuar mbi ujërat e ngrohta të Mesdheut, solli reshje ekstreme dhe bllokoi sistemet e kullimit të ujit, duke kthyer rrugët kryesore të Ibizës në lumenj të rrëmbyeshëm. Pamjet dramatike që qarkullojnë në mediat ndërkombëtare tregojnë makina të mbytura, turistë të lagur që braktisin me vrap autostradat për të kapur fluturimet dhe hotele luksoze të mbushura me ujë deri në holl.
Një nga simbolet e jetës së natës në Ibiza, klubi ikonik “Pacha”, u godit rëndë një pjesë e çatisë u shemb nga forca e reshjeve, ndërsa stafi përpiqej në mënyrë të dëshpëruar të ndalonte rrjedhjet. Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Ibizës nuk i shpëtoi përmbytjeve uji rridhte nga çatia, duke shkaktuar vonesa dhe anulime në fluturime.
Alarmi i motit u ngrit në nivelin më të lartë nga portokalli në të kuq, ndërsa autoritetet spanjolle aktivizuan planin emergjent për përmbytje “INUNBAL”. Trupa ushtarake, zjarrfikës dhe njësi speciale nga Majorka dhe Valencia u dërguan me urgjencë në ishull. Brenda një dite, Guardia Civil shpëtoi 148 persona të izoluar në banesa ose automjete.
Megjithëse sasia e jashtëzakonshme e reshjeve ishte fatkeqësi natyrore, mediat spanjolle fajësojnë gjithashtu edhe infrastrukturën e dobët të ishullit. Sistemet e kullimit, të papërgatitura për përballimin e përmbytjeve të tilla, dështuan brenda pak minutash. Bodrumet u përmbytën, rrugët u shembën dhe shumë biznese pësuan dëme të pallogaritshme.
Sipas El País, rritja e temperaturave në Mesdhe dhe lagështia e tepërt po amplifikojnë fenomene si “Gabrielle”, duke i bërë stuhitë e dhunshme gjithnjë e më të zakonshme në Spanjë. Për këtë arsye, autoritetet lokale kanë kërkuar që Ibiza të shpallet “zonë fatkeqësie”, për të përfituar ndihma dhe fonde emergjente.
Nga një ishull që njihjet si parajsa e festave, Ibiza në pak orë u kthye në një zonë katastrofe – ku luksi, muzika dhe dritat shumëngjyrëshe u zëvendësuan nga alarmet, reshjet e furishme dhe operacionet e shpëtimit.
@bbcnews Local authorities have requested military assistance from mainland Spain. #Ibiza #Spain #Flooding #BBCNews ♬ original sound – BBC News