Skena kaotike janë regjistruar në ishullin turistik të Mykonos, ku një përleshje e dhunshme mes dy grupeve turistësh italianë ka përfunduar në një përballje fizike me policinë, jashtë një restoranti ushqimi të shpejtë.

Ngjarja, e filmuar dhe publikuar nga një YouTuberi grek, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar moment pas momenti konfliktin që doli jashtë kontrollit.

Sipas pamjeve, gjithçka nisi me një sherr verbal të ashpër mes dy grupeve të rinjsh italianë, i cili shpejt u përshkallëzua në dhunë fizike. Grushtat, shtyrjet dhe ofendimet u përhapën në zonë, duke alarmuar kalimtarët dhe duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të policisë greke.

Por ndërhyrja e uniformave blu u prit me rezistencë të ashpër nga turistët e dehur, të cilët jo vetëm refuzuan të ndalonin përplasjen, por i sulmuan fizikisht oficerët e policisë. Në video, duken qartë skenat e tensionit: policia përpiqet të vendosë rendin, ndërsa turistët përleshen me ta dhe përpiqen të çajnë kordonin.

Zënka tërhoqi vëmendjen e dhjetëra qytetarëve dhe turistëve të tjerë, të cilët u ndalën për të parë nga afër përplasjen e pazakontë në zemër të Mykonos.

Pas disa minutash përpjekjesh të tensionuara, forcat e rendit arritën të neutralizojnë situatën, duke prangosur personat e përfshirë dhe duke i shoqëruar në Stacionin e Policisë së Mykonos. Deri më tani nuk ka të dhëna për të lënduar seriozisht, por autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e konfliktit dhe për të marrë masat përkatëse ndaj personave përgjegjës.