Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy ka nisur ditën e djeshme vuajtjen e dënimit 5-vjeçar me burg. Por edhe pse ende nuk janë plotësuar as 24 orë që ai ndodhet në qeli, gjërat kanë nisur të komplikohen.

Mediat e huaja raportojnë një tjetër i dënuar që ndodhet në burgun “La Santé” ku Sarkozy qëndron, ka kërcënuar ish-presidentin. Ai ka regjistruar një video në të cilën shprehet se kërkon që Sarkozy t’i kthejë miliarda para.

Sarkozi është aty, në një zonë të izoluar. Ai është vetëm në qelinë e tij. Ai sapo erdhi, të martën, më 20 tetor 2025. Por këtu do të kalojë keq. Ne dimë gjithçka, do të hakmerremi për Gadafin. Ne dimë gjithçka, Sarkozi, Ziad Takidini (emri i ish-tregtarit libanez të armëve), ne dimë gjithçka. Kthejini miliardat”– dëgjohet të thotë ai.

Videoja e postuar në internet i referohet si Sarkozisë ashtu edhe një ish-tregtari armësh libanez, i cili vdiq këtë vit në rrethana misterioze, ndërsa kërkohej me akuzën e ndërmjetësimit midis Gadafit dhe Sarkozisë.

Ministria e Brendshme konfirmoi se pas kërcënimeve, dy oficerë policie që i përkisnin shërbimit të mbrojtjes VIP, SDLP, zunë qelinë ngjitur me ish-presidentin, për 24 orë në ditë.