Presidenti amerikan Donald Trump është përballur me një incident gjatë një vizite zyrtare që po zhvillonte në fabrikën e “Ford”, në Miçigan.

Sipas mediave të huaja, një punëtor 40-vjeçar e ka pritur presidentin në korridor dhe duke i bërtitur, e ka akuzar se po mbron pedofilët, referuar mos-publikimit të dosjes së Jeffrey Epstein. Teksa u përball me akuzat, Trump u vu re duke i drejtuar gishtin e mesit 40-vjeçarit dhe duke i thënë “Fuck you” (Ik pirdhu). Pas rastit 40-vjeçari u pushua nga puna dhe u gjobit, por duket se ai nuk pendohet për atë që bëri. Në një prononcim për mediat ai u shpreh se shfrytëzoi rastin që vjen vetëm një herë.

“Sa i përket kritikës ndaj tij, nuk kam asnjë keqardhje. Një rast i tillë të vjen vetëm një herë në jetë dhe kur ndodh, më mirë të jesh gati ta shfrytëzosh mundësinë. Dhe sot mendoj se e bëra këtë.”- tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së bardhë, Stevem Cheung e quajti 40-vjeçarin “të çmendur”.  

“Një i çmendur po bërtiste me tërbim fjalë të pista në një shpërthim të plotë të zemërimit, dhe presidenti dha një përgjigje të përshtatshme dhe të qartë”, tha ai.

Reagim pati nga kompania “Ford”, e cila tha se një nga vlerat e markës është respekti, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Një nga vlerat tona thelbësore është respekti dhe ne nuk e tolerojmë askënd që thotë diçka të papërshtatshme si kjo brenda ambienteve tona. Kur kjo ndodh, ne kemi një proces për ta trajtuar, por nuk hyjmë në çështje specifike të personelit.”- thuhej në reagim.

Trump mbetet nën presion për të publikuar dosjet e Epstein pasi Departamenti i Drejtësisë ofroi vetëm një përqind të arkivit total, disa javë pas një afati ligjor të lëshuar nga Kongresi në fund të vitit të kaluar. Trump njihet për miqësinë e ngushtë që ka patur me pedofilin e dënuar, megjithëse ka mohuar sek ishte dijeni për aktivitetin e tij.