Usain Bolt konsiderohet ende njeriu më i shpejtë në histori, por duket se dominimi i tij mund të sfidohet nga një “kundërshtar” i papritur, robotët humanoidë të fuqizuar nga inteligjenca artificiale.
Gjiganti kinez i robotikës Unitree Robotics ka publikuar së fundmi pamje testuese të robotit të tij humanoid H1, i cili ka arritur një shpejtësi prej rreth 10 metra në sekondë në një sprint 100-metërsh. Kjo e vendos atë shumë pranë ritmit mesatar të legjendës nga Xhamajka.
Për krahasim, gjatë performancës së tij historike në World Championships in Athletics 2009, Bolt arriti një shpejtësi maksimale prej rreth 12.42 m/s, ndërsa mesatarja e tij gjatë garës ishte 10.44 m/s një standard që deri pak vite më parë dukej i paarritshëm për makinat.
Sipas Unitree, roboti H1 ka arritur deri në 10.1 m/s gjatë testimeve, edhe pse kompania ka pranuar se mund të ketë pasur “pasaktësi të vogla në matje”. Megjithatë, kjo arritje konsiderohet një hap i madh përpara në zhvillimin e lëvizjes dykëmbëshe te robotët.
“10 m/s!! Unitree thyen sërish rekord botëror. Me fizikun e një njeriu të zakonshëm, duke vrapuar me shpejtësinë e një kampioni bote,” shkruhej në përshkrimin e videos virale të kompanisë.
Progresi është i jashtëzakonshëm nëse kujtojmë se vetëm pak vite më parë, roboti humanoid më i shpejtë mezi arrinte rreth 8 milje në orë (rreth 13 km/h). Ndërsa H1 ka arritur deri në 22 mph (afërsisht 35 km/h), duke treguar ritmin marramendës të zhvillimit teknologjik.
Në këtë garë nuk është vetëm Unitree. Kompania kineze MirrorMe ka prezantuar robotin e saj humanoid të quajtur “Bolt”, i cili gjithashtu arrin shpejtësi deri në 10 m/s, duke u bërë një rival i drejtpërdrejtë për H1.
