Një avion mallrash i kompanisë UPS është rrëzuar menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville, në shtetin e Kentucky, SHBA. BBC shkruan se të paktën shtatë persona kanë mbetur të vrarë nga ky aksident .

Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, ka njoftuar se tre anëtarët e ekuipazhit të aeroplanit ka të ngjarë të jenë midis viktimave.

Gjithashtu raportohet se të paktën 11 persona të tjerë u plagosën kur aeroplani u rrëzua, duke dërguar re të dendura tymi të zi në qiell.

Zyrtarët paralajmëruan se njerëzit pësuan lëndime “shumë të rënda” në incident dhe numri i të vdekurve mund të rritet.

Ndërkohë aeroporti ka njoftuar në platformën X se fusha ajrore është mbyllur përkohësisht, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë video që tregojnë re të dendura tymi që ngrihen nga zona e aeroportit.

Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-ve (FAA) ka konfirmuar se bëhet fjalë për fluturimin UPS 2976, i cili u rrëzua rreth orës 17:15 me orën lokale (22:15 GMT), pak pasi ishte ngritur me destinacion Honolulu, Hawaii.

youtube.com/watch?time_continue=56&v=UDS4Tv7F8nc&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F&source_ve_path=MzY4NDIsMjg2NjY

Sipas të dhënave të FAA, avioni i rrëzuar ishte një McDonnell Douglas MD-11, që po udhëtonte nga Aeroporti Ndërkombëtar “Muhammad Ali” i Louisville drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Daniel K. Inouye” në Honolulu.

Hetimet për shkaqet e aksidentit po udhëhiqen nga FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).