Autoritetet rumune kanë kryer këtë të hënë një shpërthim të kontrolluar të një formacioni shkëmbor në lumin Danub, duke përdorur 180 kilogramë eksploziv, me synimin për të devijuar rrjedhën e ujit drejt reaktorit të fundit bërthamor në funksion në vend. Masa u ndërmor pas një periudhe të gjatë thatësire, e cila ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në Danub, duke rrezikuar furnizimin e nevojshëm për ftohjen dhe funksionimin e centralit bërthamor.
Ndërkohë, Hungaria fqinje njoftoi se termocentrali i saj i vetëm bërthamor mund të vazhdojë të funksionojë vetëm edhe për dy ditë nëse situata nuk përmirësohet. Autoritetet hungareze paralajmëruan se, në rast të vazhdimit të rënies së nivelit të ujit, vendi mund të detyrohet të ndërpresë plotësisht prodhimin e energjisë nga centrali për herë të parë në 44 vjet.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, shpërthimi në Danub është pjesë e masave emergjente për të garantuar furnizimin me ujë të infrastrukturës kritike energjetike, ndërsa rajoni po përballet me pasojat e një prej periudhave më të thata të viteve të fundit. Shpërthimi i kontrolluar, i kryer nga Marina Rumune duke përdorur rreth 180 kilogramë eksplozivë , lëshoi sasi të mëdha uji në ajër, në një operacion spektakolar që nxjerr në pah shkallën e krizës së shkaktuar nga nxehtësia ekstreme dhe thatësira në Evropë. Rënia e niveleve të lumenjve tashmë po shkakton shqetësime serioze në lidhje me disponueshmërinë e ujit, transportin lumor dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Me termocentralet bërthamore në Rumani dhe Hungari që operojnë me kapacitet të reduktuar, të dy vendet janë të detyruara të mbulojnë një pjesë të nevojave të tyre përmes importeve të shtrenjta të energjisë elektrike, në një kohë kur vala e të nxehtit po rrit ndjeshëm kërkesën. Të dy termocentralet përdorin ujë nga Danubi për të ftohur reaktorët e tyre.
Autoritetet hungareze, të cilat kishin paralajmëruar se termocentrali bërthamor Paks mund të duhet të mbyllet që të dielën, më në fund njoftuan se ai mund të vazhdojë të funksionojë me kapacitetin e tij aktual të reduktuar deri të hënën ose të martën, duke i dhënë sistemit elektrik të vendit një pushim të vogël. Termocentrali Paks prej 2 gigavatësh normalisht mbulon rreth 50% të prodhimit të energjisë elektrike të Hungarisë. Por të hënën, ai po funksiononte me pak mbi 10% të kapacitetit të tij nominal, pasi niveli i ujit të Danubit ra në minimumin historik.
“Sot dhe ndoshta nesër turbina e fundit, e cila prodhon 240 megavat, do të jetë në gjendje të mbetet në funksion. Ky është një lajm shumë i mirë, pasi shmang një mbyllje të plotë të termocentralit në një nga ditët me konsumin më të lartë të energjisë elektrike”, shtoi ai.
Më në jug, kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Rumanisë, Nuclearelectrica , e cila furnizon rreth 20 përqind të nevojave të vendit për energji elektrike, u detyrua të mbyllte një nga dy reaktorët e saj në fillim të javës së kaluar. Ekspertët thonë se shpërthimi i kontrolluar do të lejojë ndërtimin e një dige të përkohshme për të lejuar që më shumë ujë të rrjedhë në kanalin e Danubit që ushqen reaktorin e mbetur në termocentralin bërthamor të Cernavodës . Marina Rumune tha se puna e devijimit të ujit pritej të përfundonte deri të mërkurën.
“Çdo ditë pas të mërkurës ose të enjtes që termocentrali vazhdon të funksionojë është një fitim. Një ditë funksionimi sjell një përfitim tre herë më të madh se kostoja e këtij operacioni”, tha Ministri Rumun i Mbrojtjes Radu Miruta.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri rumun Ilie Bolozan njoftoi se fabrikat e makinave Dacia, të cilat i përkasin grupit Renault, si dhe Ford, kanë pezulluar përkohësisht prodhimin e tyre deri më 19 gusht, duke ulur vullnetarisht konsumin e energjisë elektrike me rreth 200 megavat. Në Hungari, Péter Magyar tha se uljet vullnetare të konsumit të energjisë elektrike nga familjet dhe bizneset, pas një apeli qeveritar, ulën kërkesën me rreth 700 megavat të dielën, duke kontribuar ndjeshëm në çbllokimin e rrjetit elektrik. Kompanitë e mëdha po marrin pjesë gjithashtu në këto përpjekje. Kompania farmaceutike Richter njoftoi se do të ulë konsumin e energjisë elektrike me më shumë se 50% gjatë tre javëve të ardhshme, ndërsa do të sigurojë katër megavat energji elektrike të gjeneruar nga parku i saj fotovoltaik në rrjet çdo ditë.
