Një video tronditëse është publikuar nga Hamas, ku shihet se si janë ekzekutuar 3 palestinezë, të akuzuar për tradhti.
Në video, disa persona të armatosur me fytyra të mbuluara qëndrojnë para 3 burrave të gjunjëzuar, me sy të lidhur dhe duart të prangosura pas shpine. Para turmës që brohoriste “Allahu Ekber”, një nga ekzekutorët i përshkruan viktimat si “tradhtarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesit për të vrarë popullin e tyre”. Menjëherë më pas, të tre palestinezët ekzekutohen me të shtëna në kokë dhe trup.
Sipas mediave ndërkombëtare, Hamas vendosi mbishkrime të shkruara me dorë mbi trupat e viktimave.
Në një prej tyre shkruhej: “Tradhtia juaj nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Ju pret një ndëshkim i ashpër.”
Agjencia izraelite “Ynet” raportoi se një tjetër copë letre mbi trupin e njërit prej viktimave përmbante mesazhin: “Mercenarë të shpatës, është koha t’ju presim kokat.”
Hamas deklaroi se në ekzekutim morën pjesë edhe anëtarë të dy organizatave të tjera radikale: Xhihadit Islamik dhe Brigadave Muxhahidine, duke e konsideruar këtë akt si një “paralajmërim” për të gjithë ata që bashkëpunojnë me Izraelin.