Një grabitje e re ka bërë bujë në Francë, pasi disa persona të armatosur e të maskuar si oficerë policie, sulmuan një punishte ari.
Grabitja ndodhi pothuajse dy javë pas asaj në Muzeun e Luvrit në Paris. Sulmuesit, të cilët thuhet se mbanin armë automatike dhe eksplozivë, hynë në punishten “Pourquery” në Lyon, e cila specializohet në përpunimin e metaleve të çmuara.
Vjedhja ndodhi afërsisht në orën 14:00, me dëshmitarë okularë që përshkruajnë se si grabitësit thyen xhamat e punishtes dhe hynë brenda me forcë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin e sulmit dhe janë shndërruar në virale.
Videoja që qarkullon në mediat sociale tregon autorët duke përdorur një shkallë për t’u ngjitur mbi gardhin e punishtes, përpara se të shihen duke ngarkuar një furgon të vogël të bardhë dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.



