Një tornado e fuqishme goditi zonën e Val-d’Oise në veri të Parisit, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Brendshëm francez, i cili tha se autoritetet janë duke ndjekur nga afër situatën dhe kanë mobilizuar shërbimet e emergjencës në terren.
Fenomeni ekstrem i motit përfshiu disa zona periferike të kryeqytetit francez, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dy vinça të mëdhenj që shemben nën fuqinë shkatërruese të tornados, ndërsa era e fortë ka rrëzuar pemë dhe ka dëmtuar ndërtesa.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme në zonat e prekura, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmë për banorët e prekur.