Presidenti amerikan u takua me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në një atmosferë çuditërisht tepër miqësore.

Ahmed al-Sharaa mbërriti në vendin që vetëm një vit më parë vendosi si shpërblim 10 milionë dollarë për kokën e tij, këtë herë në një ambient tepër komod. Takimi u zhvillua larg gazetarëve dhe kamerave , por me fotografë zyrtarë të pranishëm për të kapur skenën unike.

Trump i dhuroi presidentit sirian shishe parfumi dhe madje e spërkati, ashtu si edhe një anëtar tjetër i delegacionit sirian.

“Është parfumi më i mirë! Dhe tjetri është për gruan tënde”, i tha ai. Por Trump e pyeti menjëherë: “Sa gra ke?” -“Një”-, u përgjigj presidenti sirian, duke nxitur komentin e Trump: “Një? Me djem si ty, nuk i dihet kurrë!”

Për sqarim, parfumi duket të jetë ai që Trump e ka publikuar nën emrin 45-47 (sepse ai është presidenti i 45-të dhe i 47-të i Shteteve të Bashkuara) me një çmim mjaft të lartë, 249 dollarë për versionet për burra dhe gra.

Në të njëjtën kohë me takimin, SHBA-të pezulluan sanksionet kundër Sirisë për 180 ditë të tjera me urdhër të Trump. Megjithatë, është mjaft e mundur që ato të hiqen plotësisht, por kjo do të kërkojë një votim në Kongres. Al-Sharaa tha se i ofroi Trump dhurata simbolike, kopje të objekteve të lashta siriane.