Një arratisje e rrallë është regjistruar në Miçigani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një grua arriti të largohej nga makina e policisë ku mbahej e arrestuar, pa u vënë re nga oficerët.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, gjatë një kontrolli rutinë të policisë në një automjet. Sipas autoriteteve, për njërën prej pasagjereve ekzistonte një urdhër arresti për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.
Pasi u arrestua dhe u vendos me pranga në sediljen e pasme të makinës së policisë, gruaja shfrytëzoi një moment pakujdesie për të realizuar arratisjen. Duke përfituar nga një dritare e hapur pjesërisht, ajo arriti të kalojë përmes saj, pavarësisht vështirësisë dhe kufizimeve nga prangat.
Pamjet e publikuara tregojnë përpjekjen e saj për t’u liruar dhe momentin kur ajo ia del të largohet nga automjeti.
Autoritetet dyshojnë se gruaja mund të jetë e përfshirë edhe në një vjedhje të ndodhur më herët gjatë së njëjtës ditë. Aktualisht, ajo mbetet në arrati dhe është në kërkim nga policia.
