Miliona karkaleca kanë pushtuar rajonin Kizlyar të Dagestanit, në jug të Rusisë, duke krijuar një pamje të pazakontë që ka habitur banorët vendas. Sipas pamjeve të regjistruara, insektet kanë mbushur hapësirën ajrore në një numër të madh, duke formuar atë që dukej si një “re” gjigante mbi zonë.

Pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe kanë tërhequr vëmendjen për përmasat e jashtëzakonshme të këtij fenomeni natyror. Banorët kanë raportuar se karkalecat kanë mbuluar rrugët dhe zonat përreth, ndërsa ekspertët shpjegojnë se grumbullime të tilla mund të ndodhin kur kushtet klimatike favorizojnë shumimin dhe lëvizjen masive të tyre. Fenomeni i karkalecave migrues është i njohur në disa rajone të botës dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha në bujqësi, veçanërisht kur tufat janë shumë të mëdha.