Pamje dramatike janë publikuar nga ishulli grek Gavdos, ku një grup turistësh u përfshi në një përplasje të pazakontë me emigrantë të ardhur nga Libia. Ngjarja ndodhi të shtunën, në plazhin Sarakiniko, një destinacion i njohur për qetësinë dhe bukurinë e tij, i cili u trondit nga zbritja e papritur e një anijeje të vogël plot me azilkërkues.
Në videon që po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare, turistët shihen duke hyrë në ujë dhe shtyrë me duar varkën, në një përpjekje për të ndaluar emigrantët të zbarkojnë në breg. Mes tyre dëgjohen edhe tone të ashpra dhe thirrje që i kërkojnë refugjatëve të largohet nga zona.
Sipas raportimeve lokale, pas ndërhyrjes së pushuesve, migrantët u ridrejtuan drejt portit të ishullit dhe nuk ndodhi asnjë incident fizik apo përplasje e dhunshme.
Incidenti vjen në një kohë kur Greqia po përballet me një rritje të konsiderueshme të mbërritjeve të migrantëve, veçanërisht në zonat jugore si Kreta dhe Gavdos. Ministri i Imigracionit, Thanos Plevris, deklaroi se “brenda 2-3 ditëve të gjithë migrantët e mbërritur do të largohen” nga ishulli.
Në fillim të këtij muaji, Parlamenti grek miratoi një ligj të ri për migracionin, i cili ashpërson ndëshkimet për azilkërkuesit e refuzuar, duke përfshirë edhe gjoba deri në 10,000 euro dhe ndalim deri në 24 muaj për ata që hyjnë ilegalisht në vendet e konsideruara “të sigurta” nga BE-ja.