Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, ku një vajzë 22-vjeçare u vra brutalisht nga vëllai i saj në qytetin e Napolit. Viktima, Ylenia Musella, humbi jetën pasi u godit me thikë në shpinë gjatë një konflikti familjar.
Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ndodhi pas një debati mes Ylenias dhe vëllait të saj, Giuseppe Musella. Ky i fundit u dorëzua vetë në polici pas krimit dhe, gjatë dëshmisë, deklaroi se sherri kishte nisur për shkak të muzikës me volum të lartë, e cila sipas tij nuk e linte të flinte.
Detaje të reja kanë dalë edhe nga rrjetet sociale. Në një video të publikuar në llogarinë e rrjeteve sociale të Ylenias, 22-vjeçarja shihet duke kërcyer nën ritmet e muzikës. Në fund të pamjeve, shfaqet një person që zbret shkallët duke mbajtur në dorë një send që duket si thikë, pamje që po analizohen nga hetuesit.
