Dalja nga supermarketi dukej si çdo ditë tjetër: dera automatike hapet, nëna del duke mbajtur për dore vajzën e saj një vjeç e gjysmë, ndërsa babai i ndjek pas me karrocën e mbushur me blerje. Por situata u kthye papritur në panik, kur një burrë i panjohur iu afrua familjes dhe tentoi të merrte me forcë vogëlushen.

Prindërit, ende të tronditur pas ngjarjes, treguan për policinë se gjithçka ndodhi në pak sekonda dhe pa asnjë paralajmërim. Agresori, një shtetas rumun 47-vjeçar pa vendbanim të përhershëm, u arrestua menjëherë dhe, me urdhër të prokurores Giulia Angeleri, ndodhet në burg në pritje të marrjes në pyetje.

Fillimisht, familja nuk e kuptoi qartë se çfarë po ndodhte. Sipas mediave italiane, në ato momente menduan se burri mund të kishte qëllim ta lëndonte fëmijën, më shumë sesa ta rrëmbente.

Hetuesit po përpiqen të kuptojnë motivet e këtij veprimi të papritur, pasi familja nuk kishte asnjë lidhje me agresorin. Gjatë përleshjes, ai e tërhoqi vajzën nga këmba, duke i shkaktuar një frakturë në femur.

Babai i vogëlushes tregoi se reagimi i tij ishte i menjëhershëm. “Kur sheh fëmijën në rrezik, instinkti të shtyn të veprosh pa menduar”, ka deklaruar ai, duke përshkruar momentet e tmerrit që përjetuan.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës së së shtunës dhe zgjati më pak se një minutë, ndërsa e gjithë skena u regjistrua nga kamerat e sigurisë së supermarketit Esselunga. Babai kujton se në fillim mendoi se burri ishte ndalur për të lidhur këpucët, por sapo iu afrua familjes, ai kapi fëmijën dhe tentoi ta ngrinte, ndërsa nëna përpiqej ta mbante fort.

Babai ndërhyri menjëherë dhe, me ndihmën e rojeve të sigurisë dhe disa klientëve, arriti ta neutralizonte agresorin, i cili më pas iu dorëzua policisë. Një dëshmitare e pranishme tregoi se dëgjoi britmat e nënës që thërriste e dëshpëruar për vajzën, ndërsa përpiqej ta tërhiqte pas vetes, ndërkohë që burri nuk e lëshonte.

Pas ndalimit, 47-vjeçari, i cili fliste italisht me vështirësi, nuk ka dhënë shpjegime. Në momentin e arrestimit, ai kishte vetëm një pasaportë dhe pak para me vete. Sipas autoriteteve, nuk rezulton me precedentë penalë apo probleme të njohura psikiatrike, ndërsa nga të dhënat paraprake duket se kishte lëvizur shpesh mes vendeve të ndryshme.

Dy ditë para incidentit, ai ishte kontrolluar nga policia pranë urgjencës së një spitali, ku kishte kërkuar ndihmë për strehim, pa shfaqur sjellje të dhunshme. Mediat raportojnë se kishte shprehur dëshirën të kthehej në Rumani, madje kishte kërkuar që kthimi të bëhej me ambulancë.

Vogëlushja, e cila mori trajtim mjekësor dhe iu vendos allçi në këmbë, tashmë është kthyer në shtëpi. Sipas familjes, pavarësisht traumës, ajo po rikuperohet dhe është sërish e buzëqeshur.