Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Stambollin, ku një 25-vjeçare është vrarë me armë zjarri nga vjehrra e saj.
Sipas mediave turke, ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, kur 58-vjeçarja Menekshe K. dyshohet se ka qëlluar dy herë në kokë nusen e saj, Bursin Sahin, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas krimit, autorja ka dalë në ballkonin e banesës dhe ka deklaruar se “ka vrarë nusen dhe ka pastruar nderin e saj”, ndërsa ka pritur mbërritjen e policisë duke pirë cigare.
Motivi i dyshuar i ngjarjes lidhet me pretendimet e 58-vjeçares se nusja po tradhtonte bashkëshortin e saj, i cili ndodhet në burg prej disa vitesh. Sipas raportimeve, ajo kishte gjetur mesazhe që, sipas saj, përforconin dyshimet për tradhti.
Gjatë marrjes në pyetje, autorja ka pranuar se ka pasur një debat me viktimën për këtë çështje dhe më pas ka përdorur armën e zjarrit.
Mediat turke bëjnë me dije gjithashtu se 58-vjeçarja ka një precedent penal, pasi më parë ka vuajtur një dënim me burg për trafik narkotikësh.
