Kremlini ka paralajmëruar një përshkallëzim të ri të rrezikshëm nëse SHBA vendos t’i dërgojë Ukrainës raketa Tomahawk për sulme në territorin rus.

Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se Moska është në dijeni të raportimeve mbi këtë mundësi dhe se, nëse ndodh, Rusia do të detyrohet të reagojë:
“Një hap i tillë do të hapte një raund të ri tensionesh serioze që do të kërkonte një përgjigje adekuate nga pala ruse. Nga ana tjetër, është e qartë se nuk ka një armë të vetme që mund të ndryshojë rrënjësisht rrjedhën e ngjarjeve,” tha ai.

Gatishmëria amerikane

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, konfirmoi se Uashingtoni po shqyrton kërkesën e Ukrainës për raketat Tomahawk, një armë me rreze veprimi 1,600–2,500 km, e përdorur për herë të parë gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi homologut amerikan Donald Trump furnizimin e këtyre raketave gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Tomahawk, me kosto rreth 2 milionë dollarë për njësi dhe të prodhuara nga Raytheon, janë subsonike, por fluturimi i tyre i ulët dhe aftësia manovruese i bëjnë të vështira për t’u interceptuar. Rrezja e tyre mbulon pjesë të mëdha të territorit rus, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun.

Kërkesa e Ukrainës dhe hezitimi i Perëndimit

Kievi ka kohë që kërkon armë të fuqishme me rreze të gjatë, por aleatët perëndimorë kanë ngurruar për shkak të frikës nga një konflikt më i gjerë. Vetëm disa javë para se të linte detyrën, ish-presidenti Joe Biden lehtësoi kufizimet mbi përdorimin e raketave amerikane, ndërkohë që Trump kishte paralajmëruar se do të ulte mbështetjen për Ukrainën.

Vijat e kuqe të Rusisë

Ekspertët theksojnë se furnizimi i Ukrainës me Tomahawk do t’i zgjeronte ndjeshëm aftësitë e saj sulmuese, duke e bërë të mundur goditjen e bazave ushtarake, aeroporteve, qendrave të komandës dhe logjistikës ruse. Keir Giles nga Chatham House thekson se kjo do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në taktikat mbrojtëse të Moskës.

Megjithatë, analistët mendojnë se pavarësisht retorikës, Rusia ka pak gjasa të kalojë në veprime drastike, pasi një përballje e drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe NATO-n do të ishte “katastrofike” për të.