Teknologjia
Kriminelët e internetit kanë hapur një front të ri në betejën e tyre për të infektuar kompjuterët me programe të dëmshme, duke i instaluar ato, në disa raste, që në linjat e prodhimit, bën të ditur një studim i “Microsoft”. Një virus, i quajtur “Nitol”, përdoret për të vjedhur të dhëna personale dhe i ndihmon kriminelët të grabisin llogaritë bankare në internet. “Microsoft” ka marrë leje nga një gjykatë amerikane të gjurmojë rrjetin e kompjuterëve të infiltruar përmes këtij programi.
Kompania thotë se kriminelët kanë shfrytëzuar linja prodhimi të pasigurta për të futur programet e tyre. Viruset u zbuluan kur hetuesit e “Microsoft” blenë 20 kompjuterë të rinj në qytete të ndryshme të Kinës. Katër nga kompjuterët qenë të infektuar. “Microsoft” është veçanërisht e interesuar të zbulojë raste kur kompanitë që prodhojnë kompjuterë, përdorin programet e saj pa u licencuar. Hetuesit zbuluan se programi ishte lidhur me një adresë interneti, “3322.org”, e cila dihet se është përdorur për të përhapur programe të dëmshme kompjuterike.