Pritet rritje çmimesh dhe taksash në kushtet e ekonomisë së ngadalësuar
Konsumatorët në SHBA do të duhet të gërmojnë më thellë në xhepat e tyre vitin e ardhshëm për të paguar sigurime shëndetësore më të shtrenjta, ushqime më të shtrenjta dhe taksa më të larta, në kushtet kur ekonomia po rritet ngadalë, bën të ditur “Reuters” në një analizë. Këto kushte pritet të testojnë nervat e konsumatorëve, shpenzimet e të cilëve përbëjnë dy të tretat e ekonomisë së SHBA-së.
“Ne mendojmë se do të jetë disi e vështirë situata për gjashtë deri në nëntë muaj”, thotë Scott Hoyt, një zyrtar i lartë te seksioni i ekonomiksit konsumator pranë agjencisë “Moody’s”. “Kushtet ka shumë gjasa që do të përkeqësohen veçanërisht në pjesën e parë të vitit”, shton ai.
Shpenzimet e larta të konsumatorëve kanë habitur disa ekonomistë, duke marrë parasysh normën e papunësisë në masën 8 për qind dhe një rritje shumë të ngadaltë të nivelit të pagave. Rritja e shpenzimeve nga konsumatorët e vet ka zbutur problemet e krijuara nga kërkesa më e ulët e huaj për mallrat amerikanë. Familjet amerikane kanë shlyer rreth 880 miliardë dollarë që nga kulmi i shënuar në vitin 2008, sipas Rezervës Federale dhe kjo gjë ka bërë që konsumatorët t’i rikthehen fuqisë shpenzuese. Por skadimi i një programi ekzistues të uljes së taksave mbi pagën në janar dhe rritja e çmimeve të ushqimeve ka gjasa që do të ngadalësojë ekonominë. Ekonomia amerikane pritet të rritet me 2 për qind më 2013 nga 2.1 për qind këtë vit. Analistët vërejnë me shumë kujdes nga ana e konsumatorëve kur vjen puna te çështje të tilla si huamarrja e re apo kursimet për pleqëri.
“Njerëzit janë shumë të shqetësuar mbi atë se çfarë mund të ndodhë vitin e ardhshëm, sepse ata sakaq po shohin rritje çmimesh që po dëmtojnë buxhetet e tyre”, thotë Bruce McClary, një zëdhënës për një organizatë konsulence mbi kredimarrjen për publikun.
“Ata janë gjithashtu të shqetësuar nga propozimet për ndryshimet fiskale, të cilat mund t’i bëjnë të kenë më pak para nëpër duar”, shtoi ai.
Ekonomistët te “JPMorgan” thonë se skadimi i uljes së taksave mbi të ardhurat me 2 për qind mund të reduktojë shpenzimet e familjeve me 125 miliardë dollarë vitin e ardhshëm dhe të reduktojë PBB-në me 0.6 për qind.
Ligjvënësit amerikanë pritet të gjejnë një mënyrë për të zbutur pasojat e rritjes së taksave. Por nëse nuk gjejnë një zgjidhje, shkurtimi i shpenzimeve i detyrueshëm për familjet amerikane do të jetë më e rënda e shënuar që nga viti 1969. Në atë kohë rritja e taksave u bë për të paguar luftën në Vietnam.