Reperja Nicki Minaj është shfaqur përkrah presidentit amerikan Donald Trump në një tubim në Michigan, ku një koment i tij për pamjen fizike të këngëtares tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Ndërkohë, një postim nga drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë ka nxitur spekulime për një rol të mundshëm të artistes në administratën amerikane.

Minaj mori pjesë në aktivitet për të shprehur mbështetjen e saj për Trumpin dhe kandidatët republikanë në prag të zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit.

Gjatë fjalimit, presidenti iu drejtua këngëtares, e cila ndodhej mes audiencës, duke komentuar për të pasmet e saj.

“Meqë ra fjala, shikoni çfarë vithe të mira ka… Nicki Minaj. Është e vështirë të mos e vëresh këtë”, u shpreh Trump, duke shkaktuar reagime dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Më pas, ai e ftoi reperen të ngrihej në këmbë dhe shtoi se shpresonte që ajo të mos ishte ofenduar nga komenti, duke theksuar se e vlerësonte mbështetjen e saj.

Më vonë, Minaj iu bashkua Trumpit në skenë, ku foli për mbështetjen ndaj presidentit dhe u bëri thirrje votuesve në Michigan të mbështesin kandidatët republikanë.

Spekulimet për një rol në Shtëpinë e Bardhë

Vëmendje mori edhe një video e publikuar nga Steven Cheung, drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë udhëtimit të Minajt me avionin presidencial Air Force One drejt Michiganit.

Cheung e shoqëroi videon me një mesazh ku sugjeronte se mund të ishte gjetur një zëdhënëse e re. Këngëtarja iu përgjigj publikimit me një flamur amerikan dhe një emoji, duke shtuar më tej spekulimet në rrjetet sociale.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Nicki Minaj i është ofruar një pozicion në administratën Trump.

Sipas raportimit, këto spekulime vijnë në një kohë kur pozicioni i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë raportohet se është pa një emëruese të përhershme, pas largimit të Katie Zacharia, vetëm pesë ditë pasi kishte marrë detyrën.

Ndërkohë, Minaj është përfshirë gjithnjë e më hapur në debatet politike amerikane, duke shprehur publikisht mbështetjen e saj për Trumpin dhe kandidatët republikanë.