Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë mund të sjellë zhvillime të reja lidhur me luftën në Ukrainë.

I pyetur për udhëtimin e Ratcliffe në Rusi, Trump tha se administrata amerikane po punon intensivisht për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne do të donim të shihnim fundin e luftës në Ukrainë”, deklaroi presidenti amerikan, duke e cilësuar Ratcliffe si një “djalë fantastik”.

“Diçka mund të dalë nga kjo”, shtoi Trump, pa dhënë detaje mbi bisedimet e zhvilluara në Moskë.

Vizita e drejtorit të CIA-s ishte e paparalajmëruar dhe u zhvillua të martën. Kremlini konfirmoi se Ratcliffe zhvilloi takime me zyrtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës, por nuk u takua drejtpërdrejt me presidentin Vladimir Putin.

Megjithatë, sipas Kremlinit, Putin është informuar mbi rezultatet e bisedimeve.

Përmbajtja e takimeve nuk është bërë publike, ndërsa vizita vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mbeten të vështira.

Mbetet e paqartë nëse takimet e Ratcliffe në Moskë do të çojnë në hapa konkretë drejt një marrëveshjeje apo në rifillimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Moskës.