Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus, Volodymyr Zelensky mbërrin në Beograd. Presidenti i Ukrainës vjen në Serbi, një vend që vazhdon të refuzojë t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Megjithatë, ai vlerëson se kjo nuk do të ndodhë.
“Zelensky dhe ukrainasit mendojnë se në këtë moment ekziston njëfarë mundësie që Serbia të dalë nga orbita e Federatës Ruse dhe, natyrisht, do të bëjnë përpjekje për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Kjo është shfaqja e Vuçiç për Ukrainën dhe Perëndimin politik, pas goditjes së rëndë që mori nga disa shtete evropiane kur bllokuan hapjen e një klasteri në rrugën evropiane të Serbisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Jasmin Mujanoviç, politolog nga Shtetet e Bashkuara.
Edhe për Nikolla Lluniçin, konsulent për gjeopolitikë dhe siguri, kjo nuk është një vizitë që ndryshon politikën e jashtme të Serbisë.
“Nëse Beogradi do të merrte vendime të tilla si vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, ndryshimi i marrëdhënieve energjetike apo harmonizimi i plotë i politikës së jashtme me atë të BE-së, atëherë do të mund të flisnim për ndryshim të kursit”, thotë Lluniç.
Serbia dhe Ukraina po zhvillojnë bashkëpunimin mes tyre, ndërkohë që të dyja janë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht lidhjeve të Beogradit me Kremlinin. Në vitin e pestë të pushtimit të plotë rus, Zelensky vjen me ftesë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Megjithëse Serbia e ka mbështetur disa herë në Kombet e Bashkuara integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke dënuar agresionin rus, ajo është i vetmi shtet evropian, përveç Bjellorusisë dhe Turqisë, që nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Ukraina, nga ana tjetër, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Lluniç thotë se ardhja e Zelenskyt përbën një ngjarje të rëndësishme diplomatike, sepse tregon se Serbia, pavarësisht lidhjeve tradicionalisht të ngushta politike, energjetike dhe të tjera me Rusinë, synon të ruajë komunikimin edhe me Ukrainën. Duke folur për ftesën që Beogradi i bëri Zelenskyt, John O’Brennan, profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit Maynooth në Irlandë, thotë se kjo është pjesë e politikës së balancimit të Serbisë.
“Megjithatë, kjo vizitë tregon edhe një dobësi të re të regjimit të Aleksandar Vuçiçit, i cili është dobësuar nga ngjarjet në Novi Sad, një varg aferash të reja dhe revolta studentore.”
Autoritetet në Serbi janë përballur gjatë një viti e gjysmë të fundit me protesta masive kundër Qeverisë, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. Profesori O’Brennan nuk beson se kjo vizitë do të ndodhte po të mos ekzistonte në Uashington dhe në vende të tjera perëndimore bindja se Ukraina ka arritur një pikë kthese në luftë.
“Zelensky vjen para së gjithash për të siguruar armatim, por potencialisht edhe për të ofruar sisteme të caktuara ukrainase të armatimit”, vlerëson O’Brennan për REL-in.
Autoritetet e Serbisë zyrtarisht thonë se vendi nuk eksporton drejtpërdrejt armë në Ukrainë, ndërkohë që Beogradi është akuzuar nga Rusia se këtë e bën përmes ndërmjetësve. Disa hulumtime dhe raportime mediatike kanë ngritur mundësinë që municioni serb të përfundojë në Ukrainë përmes ndërmjetësve dhe vendeve të treta.
“Rëndësi të veçantë ka fakti që Serbia prodhon municion të kalibrave të ndryshëm, përfshirë kalibra të përputhshëm me sistemet me origjinë sovjetike, të cilat vazhdojnë të përdoren në numër të madh në fushëbetejën ukrainase”, thotë Nikolla Lluniç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka qëndruar pretendimit se Serbia nuk u eksporton armë drejtpërdrejt palëve në konflikt dhe se nuk mund ta kontrollojë plotësisht se ku përfundojnë ato pasi shiten. Megjithatë, në mesin e vitit 2024, atëherë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, deklaroi se Serbia, “duke vënë në dispozicion armët e saj, po e ndihmon Ukrainën të mbrojë një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare”.
Yevhen Mahda, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Instituti për Politikë Botërore (IWP) me seli në Kiev, është i bindur se në tryezë do të jenë edhe çështjet ekonomike dhe bashkëpunimi humanitar. Serbia i ka dërguar disa herë ndihmë humanitare Ukrainës, ndërsa Vuçiç ka thënë se Serbia dëshiron të rindërtojë një ose dy qytete apo një rajon më të vogël në Ukrainë.
“Ukraina, pavarësisht rrjedhës dhe kohëzgjatjes së luftës, në planin afatgjatë do të jetë një nga tregjet më të rëndësishme evropiane për rindërtimin e infrastrukturës dhe ekonomisë, ndërsa Serbia dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi. Ruajtja e dialogut politik me Kievin tregon se Serbia dëshiron të vazhdojë komunikimin me partnerët evropianë edhe për çështje që janë me rëndësi kyçe për sigurinë evropiane”, thotë Nikolla Lluniç.
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në procesin e anëtarësimit në BE që nga dhjetori i vitit 2021. Mosharmonizimi me politikën e jashtme të BE-së është një nga arsyet për këtë, krahas problemeve me sundimin e ligjit dhe gjendjen e medias.
Vetëm disa javë më parë, Zelensky mori në Kiev “jo”-në e Vuçiçit, kur presidenti serb nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët në samitin e Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore.
“Kur ta shihni tekstin e deklaratës, do ta kuptoni pse isha i vetmi që nuk e nënshkrova”, ishte shpjegimi që Vuçiç u dha gazetarëve në Kiev.
Edhe në vitet e kaluara Serbia nuk i ka nënshkruar deklaratat nëse në to kërkohej vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë apo, si kësaj here, ushtrimi i presionit shtesë ndaj Moskës. Lluniç konsideron se Zelensky, me këtë vizitë, po tregon realizëm politik.
“Ruajtja e kanaleve të komunikimit me Serbinë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe demonstrimi se Ukraina dëshiron të bisedojë edhe me shtete që nuk janë plotësisht të harmonizuara me politikën e saj apo me atë të BE-së”, thotë ai.
Edhe Yevhen Mahda nga IWP-ja në Kiev vlerëson se ka pak gjasa që Serbia të ndryshojë politikën e saj të balancimit mes Rusisë dhe Perëndimit, por se është e domosdoshme të zhvillohet dialog me palë të ndryshme.
“Vizita e Zelenskyt në Beograd tregon se Ukraina po kërkon mënyra për dialog. Para së gjithash, me shtete që mund të shërbejnë si ndërmjetës në bisedimet me Kremlinin”, vlerëson ai.
Ai thotë se kjo hipotezë mbështetet edhe nga fakti se Ukrainën në Serbi aktualisht e përfaqëson ish-shefi i shërbimit të inteligjencës, Oleksandr Litvinenko. Autoritetet serbe do ta presin Zelenskyn në Beograd, ku, para luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kishin dalë për të pritur presidentin rus, Vladimir Putin. Pavarësisht izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve, Putin, sipas sondazheve, vazhdon të jetë udhëheqësi i huaj më popullor në Serbi. Profesori John O’Brennan sheh si një nga qëllimet e vizitës së presidentit ukrainas edhe mundësinë për të dërguar një mesazh.
“Shikoni, Rusia po e humb mbështetjen madje edhe të aleatit të saj vëllazëror në Beograd”, thotë ai.
Duke folur për motivet e Vuçiçit, politologu Jasmin Mujanoviç thotë se bëhet fjalë për një përpjekje për ta ndryshuar perceptimin për Serbinë në Perëndim, por jo për ndonjë ndryshim thelbësor të politikës.
“Ky është i njëjti njeri që ka qenë gjithmonë. Ky nuk është ndonjë Aleksandar Vuçiç i ri, nuk është ndonjë politikë e re e jashtme e Serbisë. Është një shfaqje mjaft e lirë që, besoj, do të harrohet brenda pak muajsh”, thotë Mujanoviç.
Megjithëse Beogradi zyrtar vazhdon të këmbëngulë se anëtarësimi në BE mbetet synimi strategjik i vendit, ai nuk heq dorë nga lidhjet me Rusinë, nga e cila Serbia varet në masë të madhe për furnizimin me gaz. Konsulenti për gjeopolitikë dhe çështje ushtarake, Nikolla Lluniç, konsideron se Moska do ta shohë me mosbesim ardhjen e Zelenskyt në Beograd, por nuk pret ndonjë reagim radikal.
“Rusia nuk ka interes që, përmes presionit të tepruar, ta shtyjë edhe më shumë Beogradin drejt Kievit dhe Perëndimit. Për këtë arsye, ka më shumë gjasa që të balancojë mes kritikave dhe ruajtjes së marrëdhënieve me Serbinë”, thotë ai.
Por ai vëren se reagimi i Moskës do të varet shumë edhe nga rezultatet konkrete të vizitës.
“Nëse nuk publikohen vendime që do të nënkuptonin ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, Moska me gjasë do të përpiqet ta minimizojë rëndësinë politike të takimit”, shton Lluniç.
Nga ana tjetër, sipas Lluniçit, BE-ja dhe Uashingtoni do ta vlerësojnë pozitivisht vizitën. Megjithatë, ai thekson se BE-ja do të vazhdojë ta bëjë vlerësimin e përgjithshëm për Serbinë duke marrë parasysh një kontekst më të gjerë: shkallën e harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, qëndrimin ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe reformat që lidhen me rrugën evropiane.
“Edhe Uashingtoni do ta vlerësojë pozitivisht çdo kontribut praktik të Serbisë për sigurinë e Ukrainës, veçanërisht në fusha si municioni apo bashkëpunimi i mundshëm teknologjik”, shton ai.
Por, vëren Lluniç, hapa të tillë, në vetvete, nuk do të nënkuptojnë ndryshim të vlerësimit të përgjithshëm të politikës amerikane ndaj Beogradit. As profesori John O’Brennan nuk mendon se, pas largimit të Zelenskyt nga Beogradi, imazhi ndërkombëtar i Serbisë do të ndryshojë në mënyrë thelbësore.
“Ajo do të vazhdojë të shihet si një shtet gjysmë i izoluar në Evropë, i drejtuar nga ultranacionalistë që refuzojnë të marrin përgjegjësinë për luftërat e viteve ’90”, thotë ai.
Serbia, dikur ndër vendet lidere në procesin e integrimit evropian, tani praktikisht ndodhet në fund të këtij procesi. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet me administratën e Donald Trumpit, sipas deklaratave të Vuçiçit gjatë dimrit, nuk po zhvillohen sipas pritjeve të Beogradit. Ky perceptim është përmirësuar me nisjen së fundi të Dialogut Strategjik mes dy vendeve./REL
