Një grabitje e pazakontë ka tronditur botën e artit në Francë. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire, në Auvergne, duke marrë një prej veprave më të veçanta të ekspozuara aty, “L’Apocalypse”.

Vepra monumentale peshon rreth 210 kilogramë dhe konsiderohet me vlerë disa milionë euro. Ajo është realizuar në vitin 1959 me porosi të botuesit Joseph Forêt, bazuar në tekstin biblik të “Apokalipsit” të Shën Gjonit.

Në krijimin e saj kanë kontribuar shtatë artistë, mes tyre Salvador Dalí, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini. Pjesë e projektit kanë qenë edhe figura të njohura të letërsisë dhe mendimit, si Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger.

Vetëm kopertina prej bronzi e veprës, e realizuar nga Dalí, peshon rreth 150 kilogramë. Për shkak të përmasave, peshës dhe materialeve të përdorura, grabitja ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si autorët kanë arritur ta nxjerrin atë nga qendra e artit.

“L’Apocalypse” është ekspozuar në vende të ndryshme të botës që prej vitit 1961. Në vitin 2002, vepra u ble nga koleksionisti Christian Karoutzos, i cili ka treguar se iu deshën rreth dhjetë vite për ta shlyer plotësisht blerjen.

Karoutzos e kishte sjellë veprën në qendrën e tij të artit këtë verë, por vetëm disa muaj më vonë ajo u zhduk. Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të grabitjes.

“Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, është shprehur pronari pas ngjarjes.