Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë sot të gjitha dokumentet e planit të paqes, duke u informuar mbi detajet e dialogut të fundit të ekipit të tij me autoritetet amerikane. Lajmi është konfirmuar nga kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, i cili njoftoi përmes një postimi në Telegram se delegacioni ukrainas në bisedimet me SHBA-në ka kërkuar “informacion të plotë” mbi diskutimet që janë zhvilluar me Moskën, si dhe mbi propozimet aktuale të paqes.
Umerov theksoi se objekti i diskutimeve mbetet i pandryshuar: arritja e një marrëveshje për të përfunduar luftën dhe për të siguruar një fund dinjitoz për Ukrainën dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për një fund të denjë të kësaj lufte, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë partnerët tanë,” shprehet Umerov.
Në ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar publikisht Presidentin Zelensky, duke e akuzuar se “nuk e ka lexuar ende” propozimin amerikan për paqe, i cili është quajtur si baza e mundshme për negociatat mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë një aktiviteti në Uashington, Trump tha: “Jam i zhgënjyer që Presidenti Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin. Ky tekst është diskutuar si me presidentin Putin, ashtu edhe me Kievin.”
Trump shtoi se plani mund të favorizojë Moskën: “Ky propozim i shërben Rusisë… Rusia mund të preferonte të merrte të gjithë Ukrainën, por nuk jam i sigurt nëse i shërben Zelensky-t.”
