Prindërit dhe xhaxhai i një gruaje pakistaneze 18-vjeçare u dënuan për vrasjen e saj në Itali, pasi ajo refuzoi kërkesat e familjes së saj për t’u martuar me një kushëri në atdheun e tyre.

Trupi i Saman Abbas u gjet në nëntor 2022 në një fermë të braktisur pranë fushave ku babai i saj punonte në veri të Italisë, një vit e gjysmë pasi ajo u pa e gjallë për herë të fundit në një video, duke ecur pranë me prindërit e saj. Prokurorët italianë argumentuan se ajo u vra nga familja e saj më 1 maj 2021. Disa ditë më vonë, prindërit e saj fluturuan nga Milano në Pakistan.

Të martën, prindërit Shabbar Abbas dhe Nazia Shaheen u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa xhaxhai i saj Danish Hasnain u dënua me 14 vjet burg nga një gjykatë në Reggio Emilia. Dy kushërinjtë u gjetën të pafajshëm dhe u urdhëruan të lirohen nga burgu. Shabbar Abbas, i cili u ekstradua nga Pakistani në gusht, deklaroi pafajësinë e tij gjatë një deklarate të përlotur në gjykatë përpara diskutimeve. Gruaja e tij u gjykua në mungesë dhe besohet të jetë në Pakistan.

Autopsia zbuloi se e reja kishte një kockë të thyer të qafës, ndoshta të shkaktuar nga mbytja. Ajo kishte emigruar si adoleshente nga Pakistani në një qytet ferme, Novellara, në rajonin verior të Italisë, Emilia-Romagna. Në Itali ajo ndaloi së veshuri shaminë dhe filloi të takohej me një djalë të ri sipas dëshirës së saj.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo dhe i dashuri i saj pakistanez u shfaqën duke u puthur në një rrugë në kryeqytetin rajonal, Bolonja. Sipas hetuesve italianë, ajo puthje tërboi prindërit e Abasit, të cilët donin që ajo të martohej me një kushëri në Pakistan.

Abbas thuhet se i kishte thënë të dashurit të saj se ajo kishte frikë për jetën e saj, për shkak të refuzimit të saj për t’u martuar me një burrë të moshuar në vendlindjen e saj.